Stuhi të fuqishme rëre e pluhuri kanë goditur Utar Pradeshin dhe Raxhastanin në veri të Indisë, duke marrë gati 100 jetë njerëzish.
Furia e motit u bë shkas për ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa forca e erës shkuli pemët nga rrënjët, shkatërroi shtëpi e vrau bagëtitë. Shumë prej viktimave kanë qenë duke fjetur në shtëpitë e tyre, kur banesat iu shembën mbi krye, një pjesë të goditura nga rrufetë.
Stuhitë e rërës janë të zakonshme në këtë pjesë të vendit gjatë stinës së ngrohtë, por humbjet e jetëve njerëzore në një shkallë të tillë konsiderohen diçka e pazakontë, edhe për vet rajonin e munduar nga kapriçot e motit.
64 prej vdekjeve u shënua në Utar Pradesh, 43 nga të cilat në zonën e Agras, ku ndodhet Taxh Mahali i famshëm, minaretë e të cilit janë dëmtuar nga shkulmet e erës. Zyrtarët nuk e përjashtojnë mundësinë që bilanci i viktimave të rëndohet edhe më shumë dhe njoftuan se familjeve të viktimave do t’u vihet në ndihmë me një kompensim prej 400 mijë rupish, ose 6.000 dollarësh.
Tërbimi i stuhisë është ndierë deri në kryeqytetin Delhi, më shumë se 100 km larg, ku mbrëmjen e së mërkurës u shënuan edhe reshje të dendura shiu.
Top Channel