Presidenti francez Emmanuel Macron nxiti homologun e tij Donald Trump që t’i qëndrojë marrëveshjes bërthamore me Iranin, pasi nuk ka opsion më të mirë. Macron foli në një intervistë për Fox News, përpara një vizite tre ditore në SHBA që nis të hënën.
Trump ka kërcënuar se do të braktisë marrëveshjen, e cila kufizon programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve, nëse pakti i arritur mes fuqive të mëdha dhe Teheranit nuk ashpër sot.
Trump ka kohë deri më 12 maj që të vendosë nëse do të rikthejë në fuqi sanksionet amerikane ndaj Iranit. Ekspertët thonë se një lëvizje e tillë do t’i jepte fund marrëveshjes. Pritet që Macron dhe trump ta diskutojnë gjerësisht këtë çështje gjatë takimit të tyre.
“Nuk kemi plan B për marrëveshjen nëse SHBA rikthen sanksionet, prandaj Uashingtoni duhet të vazhdojë të jetë pjesë e saj, sepse nuk kemi një opsion më të mirë. Le ta mbajmë këtë kornizë, sepse është më mirë se situata të llojit të Koresë së veriut”, u shpreh Emmanuel Macron.
Macron shtoi se ka një lidhje speciale me Trump dhe se dëshiron të flasë hapur për kërkesat e presidentit amerikan. Më herët Irani paralajmëroi Donald Trump mbi sabotimin e marrëveshjes bërthamore, duke kërcënuar se nëse kjo ndodh, Teherani mund t’i rikthehet pasurimit të uraniumit me një ritëm shumë më të shpejtë se më parë.
Top Channel