Bisedimet me Korenë e Veriut, Trump: Përparim dhe shpresë

22/04/2018 19:20

Presidenti Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë premtuar asnjë lëshim para takimit të planifikuar me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, ndërkohë që Pheniani sapo ka njoftuar se ka reduktuar programin e tij bërthamor.

Presidenti amerikan postoi në Twitter një koment ku thotë: “Ne nuk kemi hequr dorë nga asnjë prej kërkesave tona, ndërkohë që ata kanë rënë dakord për çmilitarizmin bërthamor (një gjë e mrekullueshme për botën), për mbylljen e objekteve dhe ndalimin e provave!”

Por presidenti pohon se është ende i paqartë rezultati i takimit të tij me udhëheqësin koreano-verior që mendohet se do të zhvillohet në fund të majit apo në fillim të qershorit.

Pheniani ende nuk ka rënë dakord të eliminojë arsenalin e tij bërthamor dhe nuk është deklaruar për çmilitarizimin bërthamor të gadishullit korean.

“Kemi ende shumë punë deri në arritjen e zgjidhjes për Korenë e Veriut, ndoshta çdo gjë do të funksionojë, ndoshta jo. Do ta shohim. Por puna që po bëj tani duhet të ishte bërë me kohë,” tha presidenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA