Inter e Milan, në Nion për të kaluar “provimin” e UEFA-s

19/04/2018 17:00

Javët e ardhshme do të jenë të rëndësishme për Interin e Milanin. Dy klubet milaneze janë në garë për të qenë në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm, e nuk u lejohen gabime në ndeshjet e radhës.

Interi, që synon Champions Leaguen, ndjek nga shumë pranë Romën e Lazion, ndërsa Milani, që kërkon tashmë Europa Leaguen, ndien presionin e Atalantës, Sampdorias e Fiorentinës.

Por, ajo që shqetëson më shumë dy klubet milaneze është çështja financiare. Drejtuesit e Interit dhe Milanit janë në Nion të Zvicrës, për një takim me drejtuesit e UEFA-s për prezantimin e bilanceve të tyre, të cilat qeveria e futbollit europian do t’i verifikojë.

Në rastin e Interit, UEFA do të studiojë bilancin e vitit 2017, për të parë nëse janë respektuar detyrimet e përcaktuara nga rregullorja e “Fair Play”-t financiar, të parashikuara në marrëveshjen e rakorduar që do të qëndrojë në fuqi edhe për sezonin 2018-2019.

Sipas “Corriere della Sera”-s, drejtuesit e Interit janë të qetë dhe nuk presin që Interi të gjobitet. Klubi zikaltër ishte dënuar më parë me 20 milionë euro gjobë, 6 milionë nga të cilat janë paguar, ndërsa pjesa tjetër prej 14 milionë eurosh ishte në varësi të rregullimit të parametrave financiare. Nëse kjo do të vërtetohet, atëherë për Interin nuk do të ketë sanksione të tjera.

Ndërsa për Milanin, administratori i deleguar Marco Fassone do të takohet ditën e premte me drejtuesit e UEFA-s për marrëveshjen e rakorduar, që është pakti për të hyrë në kufijtë e “Fair Play”-t financiar.

Sipas “La Repubblica”-s, vendimi nuk do të komunikohet përpara fundit të sezonit, më 20 maj. Mësohet se Milanit do t’i jepet mundësia për të plotësuar dokumentacionin, duke qenë se në muajin maj do të vijnë lajme më të plota në lidhje me rifinancimin e klubit, apo me hyrjen e mundshme të një ortaku të ri.

Kështu që për kuqezinjtë gjërat do të mbeten pezull deri në fund të majit, kur UEFA do të vendosë për sanksionet që do të aplikojë. Fondi “Elliot” ka dhënë garancitë e tij, por UEFA është në pritje të marrjes së lajmeve qetësuese nga Kina.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA