Fiks Fare/ Rrëshkitje dherash në Romës të Mallakastrës, banorët rrezikojnë jetën

18/04/2018 20:33

Banorët e fshatit Romës në Mallakastër prej më shumë se dhjetë ditësh flenë me frikën se nuk do të zgjohen më të nesërmen.

Rrëshkitja e dherave iu ka ardhur pranë shtëpive dhe rrezikon shembjen e tyre. Ndërkohë, toka është çarë mbi dy metra si dhe e gjithë rruga që lidh fshatin me pjesën tjetër të zonës është shkatërruar. Banorët kërkojnë një përgjigje nga Bashkia e Mallakastrës, e cila, sipas tyre, ka inspektuar zonën, por nuk u ka dhënë asnjë informacion mbi situatën.

“Jemi të shqetësuar pasi dherat kanë rrëshkitur, rruga është shkatërruar dhe ne nuk shkojmë dot as tek tokat tona të mbjella. Veç kësaj, kemi edhe hallin e shtëpive se mos na zënë brenda gjatë natës”, shprehet një banor. Një tjetër shpjegon se mungesa e rrugës është bërë problem edhe për fëmijët, të cilët tashmë nuk shkojnë më në shkollë. Banorët gjithashtu janë të shqetësuar pasi, pas verifikimit të situatës, bashkia nuk u ka dhënë asnjë informacion nëse jeta e tyre rrezikohet ose jo.

“Fiks Fare” iu drejtua Bashkisë së Ballshit. Kryetari i saj tha se është në dijeni të problematikës në fshatin Romës, por ai sqaroi se e gjithë zona po përballet me rrëshkitje dherash dhe se bashkia ka ndërhyrë për evakuimin e familjeve vetëm në raste emergjente. Por, sipas tij, situata në këtë fshat nuk është emergjente. “Ne jemi në dijeni, në fakt e gjithë zona e Mallakastrës po përballet me këtë situatë, po ndërhyjmë sa mundemi. Ne kemi vetëm dy automjete, megjithatë çfarë kanë qenë raste emergjente i kemi evakuuar. Nuk ka shumë fonde bashkia, ju duhet ta kuptoni këtë. Ne, gjendjen e emergjencës nuk e shpallim dot, nuk do na japë ne qeveria para’, megjithatë ne kemi kontaktuar edhe me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit. Situata në fakt mendoj se është e tillë pasi ka qenë një vit me shumë reshje dhe kanalet kulluese janë shkatërruar dhe ky është një problem”, u shpreh Agron Kapllanaj.

Sipas të dhënave zyrtare të IGJEUM-it, 65% e sipërfaqes së territorit shqiptar rrezikohet nga rrëshqitjet. Sipas specialistëve, shkaku kryesor janë 494 mijë ndërtime të cilat janë bërë pa studim gjeoteknik dhe sizmik. “Prej kohësh, Shqipëria po përballet me rrëshkitje, si në Jug si në Veri, por edhe në zonën e mesme të saj. Sipas studimeve, na rezulton se shkaku kryesor janë ndërtimet e bëra pa studime gjeoteknike dhe sizmike. Aktualisht, rezultojnë rreth 494 mijë ndërtime të tilla që janë bërë në zona ku është prishur ekuilibri i natyrës. Tani, natyra po vepron dhe do të krijojë balancat e saj. Dikur nuk ndodhte që të ndërtohej pa studim”, u shpreh shefi i Departamentit të Gjeologjisë në Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, Prof. Ylber Munceku.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel