Një sasi prej 121.5 kg kanabis u sekuestruan këtë të hënë prej Antidrogës greke, në vendin e quajtur Parapotamo, në afërsi të Igumenicës.

Burime policore thanë se autoritetet kishin informacion për trafikun e lëndës narkotike, ndaj po monitoronin zonën kufitare mes dy vendeve në Parapotamo.

Gjatë operacionit, në të cilin morën pjesë forcat speciale të policisë, u bë i mundur arrestimi i një 37-vjeçari shqiptar, si dhe një 50-vjeçari grek, automjeti i të cilit do të përdorej për transportin e lëndës narkotike drejt Athinës, që ishte edhe destinacioni përfundimtar i drogës.

Lënda narkotike u gjet e fshehur në një zonë me pyje të dendura, në momentin që dy të arrestuarit po tentonin ta ngarkonin në automjetin e grekut. Në kërkim është shpallur edhe një tjetër shtetas shqiptar, anëtar i së njëjtës organizatë.

Policia thotë se organizata përdorte zonën kufitare mes dy vendeve për dërgimin e lëndës narkotike, e cila kalohet me mushka nga kufiri shqiptar drejt territoreve greke, kryesisht në zonat e largëta kufitare ku qarkullimi është i paktë.

Në vazhdim, trafikantët përdorin mjete 4×4 dhe maskohen si gjuetarë, duke përdorur monopate të vështira, duke shmangur kalimin në akset që lidhin fshatrat malore të Epirit me qendrat kryesore të tyre, Janinën dhe Igumenicën.

Lënda narkotike, disa aparate celularë, si dhe automjeti i përdorur për trafikimin e lëndës narkotike u sekuestruan, ndërsa dy të arrestuarit do të dërgohen në gykatë për masë sigurie.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA