Saranda “pushtohet” nga uji/ Shtrëngata shiu dhe breshër në qytetin bregdetar, uji mbulon bulevardin kryesor

14/08/2026 16:53

Kanë mjaftuar vetëm pak minuta shi me intensitet të lartë që qendra e Sarandës të kthehet në një “det” me ujë.

Reshjet e dendura kanë sjellë përmbytje në pjesën kryesore të bulevardit, ndërsa mosfunksionimi i pusetave të kullimit ka bërë që uji të mos largohet, por të dalë në sipërfaqe dhe të mbulojë rrugën.

Situata është krijuar në një kohë kur Saranda vijon të jetë e mbushur me pushues dhe turistë, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.

Rrebeshet kanë përfshirë edhe Delvinën, Ksamilin dhe Gjirokastrën, ku reshjet e shiut janë shoqëruar me breshër, bubullima dhe shkarkesa të forta elektrike.

Edhe në këto zona moti është përkeqësuar brenda pak minutash, duke sjellë një ndryshim të menjëhershëm të kushteve atmosferike. Stuhia ka përfshirë një pjesë të gjerë të jugut, ndërsa reshjet intensive vijojnë në disa zona.

 

Top Channel