“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së martës sesi një investim, i cili ka kushtuar 446 milionë lekë me TVSH, është shkatërruar pa kaluar viti.

Bëhet fjalë për rehabilitimin e përroit të Leshniqes në Kavajë, i cili u përurua dy herë në prag të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në vitin 2017, ndërkohë që përmbytjet e fundvitit shkaktuan dëme të konsiderueshme. Fitues i tenderit për realizimin e këtij projekti ishte subjekti “Vëllezërit Hysa”, që aktualisht është nën hetim edhe për rrugën Gjinar-Elbasan, për të cilën janë arrestuar edhe zyrtarë të ARRSH-së.

Sipas dokumenteve, projekti për rehabilitimin e gjithë zonës përgjatë përroit të Leshniqes, kushton rreth 10 milionë euro, megjithëse faza e parë ku janë rregulluar dy anët e përroit, janë vendosur shtyllat e ndriçimit dhe janë ndërtuar trotuaret, bashkë me një mol të vogël në grykëderdhjen e përroit në det ka kushtuar rreth 375 milionë lekë të reja pa TVSH, ose 446 milionë lekë me TVSH.

Fituesi i këtij tenderi u shpall nga Bashkia Kavajë në qershor të vitit 2016, kur kryetari i kësaj bashkie, Elvis Roshi ishte arrestuar nga policia. Në qershor të vitit 2017, vetë Kryeministri Rama vizitoi zonën për punimet e kryera në fazën e parë. Por, me përmbytjet e këtij viti pati shumë dëme, edhe pse qëllimi kryesor i rehabilitimit të përroit ishte për të shmangur përmbytjet.

Kryetari aktual i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja deklaron se në momentin që ai ka marrë drejtimin e bashkisë ishin bërë të gjitha pagesat dhe investimi ishte marrë në dorëzim. Aktualisht ka mbetur pa u paguar vetëm 5% e shumës së vitit të garancisë. Kjo vërtetohet edhe sipas dokumenteve, ku rezulton që veç subjektit “Vëllezërit Hysa”, Bashkia Kavajë ka kontraktuar në vitin 206 supervizorët Vler-Invest dhe Taulant shpk, me vlerë 554 mijë lekë, madje ka bërë dhe kolaudimin nëpërmjet kompanisë Dricons, me vlerë 438 mijë lekë, duke kryer të gjitha pagesat dhe sipas dokumenteve çdo gjë është ligjore.

Kryetari i Bashkisë shpjegoi se pas dëmeve të shkaktuara është ngritur një grup pune për verifikimin e situatës, ndërkohë që ende nuk është gjetur fajtori. Sipas tij, firma thotë është faji i projektit, projektuesi thotë është faji i firmës. Në këto kushte do ngrihet një grup pune për të verifikuar nëse shembja ka ndodhur për shkaqe të jashtëzakonshme, apo për shkak të punimeve.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA