Nderohet Tonin Harapi. Emri i mjeshtrit të lirikës, në Universitetin e Arteve

03/04/2018 20:12

Ai është quajtur mjeshtër i lirikës, i njohur për rapsodinë e famshme numër 1, koncertin numër 1 për piano dhe orkestër e për shumë vepra të tjera. Ai është ndër themeluesit e Universitetit të Arteve e në nder të tij, dekanati i muzikës e ka pagëzuar këtë të martë sallën e lektoriumit me emrin “Tonin Harapi”.

“Unë nuk do t’ia harroj kurrë profesor Toninit këshillat dhe punën që ka bërë me mua, por edhe me kolegët e mi. Krijimtaria e tij ka vlera didaktike për shkollën, por edhe si njeri ishte një shembull i pedagogut, i krijuesit, i shokut, i mikut”, u shpreh Isak Shehu, dekan i Universitetit të Arteve.

Ndërsa rektori i këtij universiteti, Kastriot Çaushi, deklaroi: “Ishte edhe mik, edhe njeri, edhe muzikant… të gjitha ishin të përmbledhura në një. Ne duhet të vazhojmë sot të jemi në rrjedhën e kujtesës sonë për figurat që kanë vënë themelin e kësaj shkolle, që kanë zhvilluar jetën artistike të universitetit tonë, të shkollës sonë”.

Këtë ngjarje të rëndësishme, Fakulteti i Muzikës ka zgjedhur ta celebrojë me promovimin e dy librave me partitura, një CD me krijimtarinë e Tonin Harapit dhe tre koncerte në nder të tij.

Më 5 prill do të jetë edhe mbrëmja përmbyllëse, ku pianistja Merita Rexha Tërshana do të rizgjojë duke sjellë për publikun koncertin për piano të luajtur 50 vite më parë nga Anita Tartari.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA