Humbi 4 djemtë dhe bashkëshortin në Luftën e Kosovës, historia e nënë Ferdonijes do t’ju përlotë

31/03/2018 22:53

Programi “Dua të të bëj të lumtur” i Arbana Osmanit mbrëmjen e sotme na riktheu pas në kohë duke na rikujtuar luftën e përgjakshme të Kosovës dhe plagët e lëna pas prej saj. Në program u trajtua historia e dhimbshme e nënë Ferdonijes dhe familjes së saj, një familje e cila tashmë jeton vetëm nëpërmjet kujtimeve të nënës.

Familja Qerkezi përbëhej nga gjashtë anëtarë, nënë Ferdonija, katër djemtë dhe bashkëshorti i saj Halimi. Një ditë në marsin e vitit 1999 në derën e familjes Qerkezi kish trokitur policia serbe për të bërë një kontroll rutinë me arsyen se aty strehoheshin refugjatë lufte.

Po atë ditë policia serbe ishte rikthyer e maskuar dhe kishte hyrë me dhunë në shtëpi duke marrë me forcë burrat e familjes. Pas disa vitesh nënë Ferdonija mori lajmin e kobshëm se asnjëri prej tyre nuk jetonte më.

Për ta bërë atë sado pak të lumtur nipi i saj, Dreni e kishte ftuar në program. Ai i dha këtë mesazh nënë Ferdonijes: “Bëhu e fortë hallë! Ti nuk je vetëm! Gjithmonë do ta kesh mbështetjen e vëllezërve, nipave dhe të mbesave të tua”.

Arbana Osmani kishte ftuar Leonora Jakupin që të mbështeste Drinin në mesazhin e tij. Në fund programi “Dua të të bëj të lumtur” i dhuroi nënë Ferdonijes një udhëtim në Shqipëri si edhe printimin e fotove të familjes së saj.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel