Opereta “Lakuriqi i natës” ka sjellë për të gjithë artistët pjesëmarrës në të, një eksperiencë të re, pasi në të njëjtën kohë ata këndojnë, kërcejnë dhe madje dialogojnë në gjuhën shqipe duke përcjellë në publik një ngarkesë të madhe emocionale në veprën me autor Johan Strauss.
“Kjo vepër i ka angazhuar më shumë se asnjë vepër tjetër të gjithë këngëtarët tanë. Ato këndojnë, kërcejnë, njëkohësisht aktrojnë përmes dialogut, janë multiinterpretë”, thotë Zana Çela.
Tashmë është bërë traditë në të gjithë botën që në aktin e dytë të operetës, në ballon e organizuar nga princi, të ftohet një personazh i njohur.
Më herët ishte njoftuar se do të ishte pikërisht tenori shqiptar me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu i ftuari i nderit, por vetë artisti ka njoftuar në profilin e tij social se për shkak të një bronkiti akut, e ka të pamundur prezencën në këtë shfaqje.
“Shpeshherë në ballo ftohet një personazh i famshëm. Në biseda me Saimirin, ai shprehu vetë dëshirën të vinte dhe të bënte këtë moment. Saimiri do të gjejë një moment tjetër, por të bëhet mirë njëherë, sepse shëndeti është i pari. Skena eëhtë këtu, e mirëpret, kurdo që ai të vijë”, tha Çela.
“Lakuriqi i natës” do ta ketë premierën mbrëmjen e së shtunës më 31 mars, ndërsa do të vijojë të ngjitet në datat 1,2 3 prill në skenën e Pallatit të Kongreseve.
Top Channel