Vlorë, jepet vendimi për të akuzuarit e dosjes “Karaburuni”

27/03/2018 15:02

Gjykata e Vlorës ka dhënë vendimin për të akuzuarit e dosjes “Karaburuni”, të pandehurit e të cilës akuzohen për përfitimin e paligjshëm të tokave në Karaburun, Zvërnec dhe Palasë.

43 vite burg u dhanë sot për pesë persona të akuzuar se grabiten pronat në bregdet, por me gjykim të shkurtuar ata do vuajnë vetëm 30 vite.

Ata ishin pjesë e dosjes “Karaburuni”. Në këtë gadishull janë vjedhur 220 hektarë tokë, 33 hektarë janë vjedhur në Plasë dhe 89 hektarë në Zvërnec të Vlorës. Gjatë shpalljes së vendimit të gjykatës së Vlorë në sallë nuk ishte asnjë nga të pandehurit.

Gjykata e faktit në Vlorë ka dhënë 18 vite burg për Raimond Mëzi i akuzuar për përfitim toke me dokumente të falsifikuara në Karaburun dhe Zvërnec, ndërsa prokuroria kishte kërkuar 21 vite burg nga te cilat do vuaje vetëm 12 vite.

Për Lefter Gjergjin i akuzuar për përfitim të 33 hektarë tokë në zonën e Palasës, gjykata ka dhënë 16 vite burg nga 19 vite burg që kishte kërkuar prokuroria. Edhe ai do vuajë vetëm 12 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për Blerina Dhramin, ish-punonjëse e zyrës së pronave në Vlorë gjykata ka dhënë 6 vjet burg, ndërsa prokuroria kishte kërkuar 11 vite burg me akuzën për falsifikimit të dokumenteve dhe shkeljen e të drejtës së funksionimit publik, ajo do vuajë 4 vite burg.

Për Donika Besimaj ish-arshiviste e gjykatës së Vlorës është kërkuar 3 vjet burg, me akuzën për shpërdorim detyre dhe shkeljen e të drejtës së funksionit publik, por në fund dënohet dy vite me kusht.

Ndërkohë është shpallur i pafajshëm Enkes Husendhima ish avokat i Raimond Mëzi prej vitit 2014. Hetimet për tjetërsim nisën në vitin 2016.

Top Channel