Taksat e 1 Prillit. Debat në Kuvend për TVSH-në e biznesit të vogël dhe taksat e pronës

27/03/2018 14:14

Nga 1 prilli, mijëra biznese të vogla me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë, do të hyjnë në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Në Komisionin e Ekonomisë, ministri i Financave tha: “Janë 10 mijë biznese. Taksa hyn në fuqi në 1 prill. Deklarimi i parë do të bëhet në korrik. Nuk do të ketë rritje çmimesh dhe as rritje kostosh administrative”.

Por, opozita tha se kjo lëvizje e qeverisë, përveçse do të rrisë kostot e produkteve për qytetarët, do të ulë edhe fitimin e bizneseve të mbijetesës.

“Fitimi do të ulet nga 23% që është sot, mesatarisht në 16% vetëm për shkak të kostove administrative”, deklaroi Jorida Tabaku.

Por, nga data 1 prill hyn në fuqi edhe një tjetër ndryshim i rëndësishëm i taksës, që prek familjarët. Kjo është taksa e pronës, që nuk do të paguhet më si fikse mbi metër katrorë, por do të jetë sa 0.05% e vlerës së shtëpisë.

Tabaku theksoi: “Kjo është taksë selektive. Sepse hotelet i përjashtoni, ndërsa familjarët do ta paguajnë. Për disa raste, taksa për familjet rritet nga 2 deri në 4 herë”.

Ahmetaj u përgjigj: “Më gjeni një rast ku rritet aq. Po të marr një shtëpi 70 metër, do të paguajë vetëm 102 lekë në muaj”.

Top Channel