Aksi i parë me pagesë, koncesionari duhet të kryejë edhe investime në Rrugën e Kombit

25/03/2018 14:25

Rruga e Kombit do të jetë i pari aks në Shqipëri, që do të ketë pagesë për kalimin e automjeteve. Koncesionari i përbërë nga një kompani turke dhe 2 shqiptare, është në vitin e dytë të kontratës, ku pritet fillimi i tarifimit.

Sipas kontratës, përveç traut të pagesave, koncesionari duhej të kryente disa investime në dy vitet e para. Top Channel ka siguruar kostot e këtyre punimeve, të cilat nuk janë botuar në Fletoren Zyrtare.

Sipas të dhënave, investimi për 2 vitet e para shkon rreth 18 milionë euro. Por kur kanë mbetur më pak se 9 muaj nga afati final për kryerjen e investimeve, koncesionari ka përfunduar vetëm sheshin ku drejtuesit e automjeteve paguajnë taksën, për çdo kalim në tunel.

Kjo është ura mbi Drin që duhet të rehabilitohet në 2 vitet e para, ndërkohe deri më tani nuk është kryer asnjë punim. Aktualisht, koncesionari po investon rreth 936 mijë euro në rrethimin e autostradës, për ta mbrojtur në dy akset e saj nga rrëshqitja e gurëve. Sipas kontratës, koncesionari do të nisë të marrë subvencion nga shteti për trafikun e munguar, që në vitin e parë të vendosjes së pagesës.

Qeveria e garanton privatin që nëse nuk siguron rreth 8 milionë euro vitin e parë, të paguajë difencën e mbetur. Progresioni vazhdon rritës çdo vit, deri në 14 milionë euro. Përveç subvencionimit, privati do të përfitojë rregullisht taksën e tunelit, për 30 vjet.

Sipas studimit të fizibilitetit të IFC, në Rrugën e Kombit kalojnë mesatarisht 5000 – 6000 automjete në ditë, dhe në një përllogaritje me tarifën minimale 5 euro, koncesionari do të arkëtojë nga 10 milionë euro vitin e parë, deri në 17 milionë euro vitin e fundit. Kurse zyrtarisht sipas kontratës, në total pas 30 vitesh, koncesionari arkëton nga tarifa e kalimit në tunel minimalisht 336 milionë euro.

Top Channel