Dy këshilltarë të LSI në këshillin bashkiak të Korçës i janë bashkuar Partisë Socialiste.
Marilena Dervishi dhe Shkëlqim Larti përmes një deklarate publike bënë të ditur largimin.
“Jam sot këtu për të ndarë me ju një vendim të cilin e kam menduar dhe ndarë shpesh me miqtë dhe bashkëpunëtorët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Unë jam një nga njerëzit e parë që i jam bashkuar kësaj force politike në Korçë, qysh në krijimin e saj, me përgjegjësinë e një ish ushtaraku për të kontribuar për komunitetin dhe vendit tim. Sot e gjej veten përballë dy rrugëve, të vazhdoj të jem përkrah këtij transformimi apo t’i bindem porosive politike të LSI, që këtu në Bashkine e Korçës, më shumë se kudo tjetër nuk gjejnë dot vend. Unë sot vendosa të mos e braktis atë që kam bërë deri më sot dhe t’i bashkohem grupit të Partisë Socialiste, duke lënë pas rrugën e porosive të bllokimit që vijnë nga Tirana”, deklaroi Larti.
Pas largimit të dy këshilltarëve nga LSI, Këshilli Bashkiak i Korçës shkon me 23 mandate PS, 6 LSI dhe 12 PD.
Top Channel