Debat për lobimin e PD; shtyhet rezoluta për KQZ. PS: Basha mashtroi!

21/03/2018 20:40

Sipas Taulant Ballës PD ka mashtruar në raportin e saj financiar për vitin 2017 dhe KQZ dështoi në verifikim. Sekretari i Përgjithshëm socialist rendit veprat penale, që thotë se janë konsumuar nga forca kryesore në opozitë dhe presin nga prokuroria zbardhjen e kontratave të lobimit ndërkombëtar të kundërshtarëve.

“Falsifikimi i dokumentave zyrtarë, dëmtim të provave nga ana e PD dhe Lulzim Bashës personalisht, që do të thotë që Prokuroria duhet të veprojë menjëherë”, deklaroi Taulant Balla.

Në të njëjtën frymë në Komisionin e Ligjeve socialistët i rekomandojnë KQZ-së të hartojë metodologjinë e kontrollit dhe verifikimit përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit me autoritetet përgjegjëse kundër pastrimit të parave dhe financimet e kundraligjshme.

“Të thellojë dhe përmirësojë shqyrtimin administrativ të verifikimit të financimeve të fushatave zgjedhore, për shkak se ndërkohë janë bërë publike dokumenta dhe kontrata të reja, të cilat nuk janë shqyrtuar më parë nga KQZ”, deklaron deputeti socialist, Alket Hyseni.

Demokratët janë dakord për forcimin e ligjit, por thumbojnë për një tjetër financim që prokuria duhet të hetojë: eurot që Habilajt në përgjime thonë se u përdorën nga Saimir Tahir në fushatë.
“5 mln euro në fushatë, deri në 20 mln euro në fushatë. Deklarim financiar është, madje Prokuroria duhet të fillojë ndjekjen penale për ish-ministrin e Brendshëm”, thotë Oerd Bylykbashi nga PD.

PD thotë se nuk mjaftojnë për KQZ vetëm rekomandimet për financat e partive, kur ODHIR ka renditur tre çështje prioritare.

“Shit-blerja e votës, abuzimi me fondet shtetërore, presioni mbi zgjedhësit përfshirë në vendin e punës në publik dhe në privat”, thotë Bylykbashi.

Në emër të një teksti konsensual u shty miratimi i rezolutës për veprimtarinë e KQZ-së në vitin zgjedhor 2017 dhe rekomandimet për vitin aktual.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA