Demarkacioni dhe gazi lotsjellës janë bërë të pandashëm në Kuvendin e Kosovës, në një ngërç që nuk po lejon miratimin e ligjit për vijën kufitare me Malin e Zi. Katër herë dështoi të mërkurën seanca për miratimin e demarkacionit, pasi deputetët e Vetëvendosjes po kaq herë hodhën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit.
Me autorizimin e Kryesisë së Kuvendit, Policia e Kosovës nxorri nga salla deputetët e Vetëvendosjes dhe arrestoi 7 prej tyre, të dyshuar si të përfshirë drejtpërdrejt në hedhjen e gazit lotsjellës.
Koalicioni qeverisës i Kosovës pretendon se i ka 80 votat për miratimin e ligjit, por edhe kushtit për liberalizimin e vizave, megjithatë zhvillimi i seancës duket i pamundur.
Zhgënjimi nuk mund të shprehej më qartë nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës.
“Edhe një herë më duhet të them se jam i zhgënjyer, që një parti po përdor dhunën për ta penguar demokracinë. Shpresoj që deputetët të kthehen në Kuvend sa më shpejt që është e mundur, për të votuar pro për marrëveshjen për shenjimin e kufirit. Do të kisha dëshirë të shihja edhe deputetët e ‘Listës Serbe’ të votojnë këtë marrëveshje, që është edhe në të mirën e komunitetit të tyre”, tha Greg Delaëie, ambasadori i SHBA në Kosovë.
Ndërsa koalicioni qeverisës shpreh vendosmërinë për miratimin e ligjit, Vetëvendosje zotohet se nuk do ta lejojë këtë falje të territorit të vendit, pavarësisht mjeteve që do t’i duhet të përdorë.
Top Channel