Miliona rusë votojnë këtë të dielë në zgjedhjet presidenciale, ku fitorja e Vladimir Putinit është e sigurtë.
Presidenti pritet të sigurojë mandatin e katërt në detyrë, ndërsa 7 kandidatët e tjerë i bashkon mungesa e shanseve kundër tij.
Votimi në Lindjen e Largët të Federatës Ruse nisi që në orën 20:00 të së shtunës, ndërsa në Moskë 9 orë më vonë.
“Exit Poll”-et e para pritet të dalin mbrëmjen e kësaj të diele. E ndërsa hodhi votën e tij në një qendër elektorale të Moskës, numri një i Kremlinit tha se do ta konsideronte një sukses çdo rezultat që do t’i jepte atij të drejtën për të kryer detyrën e presidentit.
Mes rivalëve të Putinit përfshihet milioneri komunist, Pavel Grudinin, ish-drejtuesja e një “reality shoë”, Ksenia Sobchak, si dhe nacionalisti veteran Vladimir Zhirinovsky.
Udhëheqësi kryesor i opozitës dhe konkurrenti më i fortë i Putinit, Alexei Navalny nuk u lejua të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi në fuqi. Navalny, i cili sheh aty përpjekjen për të eliminuar rivalin, ka bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve.
Sipas raportimeve lokale, autoritetet i druhen pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje, e në disa rajone, rusët u inkurajuan të votojnë përmes ushqimeve falas dhe uljes së çmimeve nëpër dyqane.
Zgjedhjet e këtij viti janë të parat që zhvillohen në Krime, që kur Rusia e aneksoi gadishullin nga Ukraina. Votimi përkon me përvjetorin e katërt të traktatit të nënshkruar nga presidenti Putin, që e shpalli zyrtarisht Krimenë pjesë të Rusisë.
Kjo lëvizje u kontestuar ashpër nga Kievi dhe përshkallëzoi tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit. Si rezultat, rusët që jetojnë në Ukrainë nuk u lejuan të marrin pjesë në votim, me vendim të qeverisë së Kievit.
Top Channel