Parisi ia ka rrëmbyer Hong Kongut vendin e dytë në renditjen e qyteteve më të shtrenjta për të jetuar, sipas një vëzhgimi të publikuar të enjten, ndërsa Singapori, mbetet qyteti më i shtrenjtë në botë për të pestin vit radhazi.

Raporti për koston e jetesës në botë, i publikuar nga njësia e investigimit të “The Economist”, krahason më shumë se 400 çmime individuale të 160 produkteve dhe shërbimeve për të matur koston e jetesës në 133 qytete.

Raporti, përpilon renditjen e tij duke krahasuar qytetet me Nju Jorkun. Pesë nga 10 qytetet më të shtrenjta në botë janë evropiane, vetëm një prej tyre ndodhet në Eurozonë.

Parisi është ngjitur në klasifikim me pesë vende, krahasuar me një vit më parë, duke u bërë qyteti i dytë më i shtrenjtë për të jetuar, thuajse në barazim me Zyrihun. Qyteti i dritave, është i vetmi qytet në eurozonë që bëhet pjesë e dhjetëshes të qyteteve më të shtrenjta në botë.

Qytetet evropiane tentojnë të jenë më të shtrenjta se qytetet e tjera në fushat si strehimi, kujdesi personal, rekreacioni dhe argëtimi, nënvizon raporti. Pas Singaporit, Parisit, Zyrihut dhe Hong Kongut, në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë edhe Oslo, Geneva, Seoul, Copenhagen, Tel Aviv dhe Sidnei.

Në Europë, pesë nga 10 qytetet më të shtrenjta për të jetuar janë jashtë Eurozonës, Zyrihu, Oslo, Gjeneva, Kopenhageni dhe Rejkjaviku. Pesë të tjerët, Parisi, Vjena, Helsinki, Frankfurti dhe Dublini janë në Eurozonë, me kryeqytetin francez që kryeson renditjen.

Top Channel