PDK i kërkon presidentes së re të kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, Justina Shiroka Pula pritet të marrë vendimin Libri autobiografik për jetën dhe aktivitetin politik të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, “New State, Modern Statement” (Shtet i ri dhe shtetar modern), duket se ngërthen thelbin e sfidave të mëdha para të cilave gjendet aktualisht shteti i Kosovës.
Libri është shkruar nga gazetarët e gazetës “The Times”, Roger Boys dhe Suzy Jagger, e i pranishëm në këtë aktivitet në Londër ishte edhe presidenti Hashim Thaçi.
Në promovimin e librit autobiografik të presidentit Thaçi ishin të pranishëm shumë akademikë, historianë, diplomatë, gazetarë dhe personalitete të ndryshme të jetës politike britanike. Mes tyre ishin Lordi Robertson; ish- sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Cherie Blair; gruaja e ish-kryeministrit Tony Blair; historiani Sir Noel Malcolm; apo edhe prokurori i njohur britanik, këshilltar i qeverisë së Kosovës, Sir Geofrey Nice.
Gjatë promovimit, presidenti Thaçi falënderoi autorët dhe botuesin, që siç u shpreh ai, besoi në këtë libër, në rëndësinë e rrëfimit të së vërtetës rreth Kosovës.
Thaçi, duke falënderuar rolin e Britanisë së Madhe në lirinë, pavarësinë dhe procesin e shtetndërtimit në Kosovë tha se, “Britania e Madhe ishte njëra nga avokatet më të rëndësishme për solidaritet me kosovarët, kundër dhunës brutale të diktaktorit serb Sllobodan Millosheviç”.
Në promovim folën Lordi Robertson e Cherie Blair, ndërkohë që autorja Suzy Jagger ka theksuar se, libri është një rrëfim për Perëndimin dhe vet Kosovën.
Gjatë bashkëbisedimet me gazetarët u theksua roli i Rusisë në mbështetjen e Serbisë për parandalimin e avancimit të shtetit të ri të Kosovës dhe u nënvizua se e ardhmja e saj mbetet realisht një çështje e pazgjidhur gjeostrategjike mes Moskës dhe Uashingtonit.
Top Channel