Pas ditësh mungesë në media, Monika Kryemadhi kthehet duke i kujtuar kryeministrit çizmen që nuk e kapi dot në seancën e 18 dhjetorit, kur nga socialistët zgjidhej Kryeprokurorja e Përkohshme.
Shqetësimin kryetares së LSI-së ia kanë rritur të dhënat e BERZH-it, sipas të cilave Shqipëria do të jetë në mesataren e BE-së vetëm pas 60 viteve, siç citoi Kryemadhi: “Troç muhabeti, unë do jem 104 vjeç kur të jemi pothuajse si europianët dhe stërnipat e stërmbesat e mia do thonë “t’u thaftë dora që ajo çizme nuk i ra në kokë Edi Ramës, që ta shkundte nga trutë dhe të bënte diçka për këtë vend”.
Sërish sulmi zbehet kur lë mënjanë komplekset e bashkëpunimit me qeverinë. Ka mbetur shija e bashkëpunimit për vetting-un në polici apo metrologjinë, sugjerohet një paketë kundër varfërisë dhe në ndihmë të bizneseve, “e cila nxjerr nga varfëria mbi 200 000 familje shqiptare”.
Kur pyetet për zgjedhjet vendore, deklarohet sërish pozicion opozitar: “Për t’i treguar shqiptarëve se kush ka qenë tepsixhiu”.
Nga ana tjetër, kanë pushuar vatje-ardhjet në selinë blu, kur koordinohej aksioni opozitar me Lulzim Bashën: “Marrëdhëniet e mia personale me zotin Basha dhe zotin Rama janë shumë të mira. Me zotin Basha, aktualisht jemi në marrëdhënie bashkëpunimi përsa i përket frontit opozitar”.
Pret fundin e konferencës për të hedhur grepin drejt PD-së për kandidatë të përbashkët për zgjedhjet vendore: “Po, edhe mund të kemi”.
Por, në Partinë Demokratike nuk është ende faza për diskutim aleancash zgjedhore. Kanë probleme për të zgjidhur në kuadër të riorganizimit të partisë, teksa mbetet e fortë sfida për luftë a paqe në kampet kundërshtare në selinë blu.
Top Channel