Helmimi i ish-agjentit rus, Theresa May: Pas sulmit fshihet Moska

12/03/2018 21:07

Pas helmimit të agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në Salisburi, me shumë mundësi qëndron Rusia.

Akuza e fortë erdhi nga kryeministrja britanike Theresa May, gjatë një fjalimi përpara ligjvënësve.

Sipas udhëheqëses britanike ish-spiuni ishte helmuar me një kimikat të prodhuar në Rusi, që është pjesë e grupit të agjentëve nervore ushtarake te njohur si “Novichok”.

May i kërkoi më pas Rusisë të shpjegoje menjëherë nëse bëhet fjalë për një akt të drejtpërdrejtë të shtetit rus, apo për humbje të kontrollit të tij ndaj agjenteve nervore.

“Britania e Madhe nuk mund të ketë një marrëdhënie normale me Rusinë. Ne nuk do të tolerojmë një përpjekje të tillë të pacipë, për vrasjen e civilëve të pafajshëm në vendin tonë”, u shpreh kryeministrja britanike.

May tha se sekretari për Punët e Jashtme Boris Johnson i kishte kërkuar ambasadorit rus t’i ofronte informacione të plota mbi programin Novichok, organizatës për ndalimin e armëve kimike. Kryeministrja shtoi se Britania e Madhe do të priste përgjigjen e tij përpara se të vendoste se çfarë veprimesh do të ndërmerrte.

“Nëse nuk do të ketë një përgjigje të besueshme ne do të arrijmë në përfundimin se bëhet fjalë për përdorim të paligjshëm të forcës nga shteti rus, kundër Britanisë së Madhe’, u shpreh Theresa May.

I menjëhershëm reagimi i ashpër i Rusisë. Ministri i jashtëm Sergei Lavrov i cilësoi akuzat e May si një provokim dhe shfaqje cirku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA