Drejtuesit e emisioneve në Shqipëri nuk prodhojnë debate vetëm me të ftuarit që kanë në studiot e tyre. Por, ata përfshihen në debate edhe me njëri-tjetrin, edhe kur nuk kanë të njëjtin profil.
Janë njerëz që shkaktojnë polemika dhe nga dita në ditë bien më shumë në sy me gjërat që bëjnë, si ato profesionale, por edhe nga jeta e tyre personale.
I fundit është rasti i Mustafa Nanos, që në programin e tij televiziv “Provokacija” ka komentuar veshjet e dy vajzave të ekranit. “Bora Zemani dhe Ilda Bejleri janë provokuese në veshjet e tyre në programnet televizive”, tha ai, duke shkuar edhe më tej, me përshkrimin e imtësishëm sesi ato provokojnë.
Madje, krahasimi arriti deri te kryqëzimi më i famshëm i këmbëve në historinë e kinemase, atë të Sharon Stone në filmin “Basic Instinct”.
“Të shtunën e shkuar, në mbrëmje unë po shihja ndeshjen Napoli-Roma. E pas ndeshjes ishte programi ‘Zona Gol’. Është një program që drejtohet nga një vajzë tjetër, vërsnike e Borës, quhet Ilda Bejleri. Veshja e Ilda Bejlerit ishte e trishtueshme, ishte vulgare, ishte e pashijshme, gati-gati ishte fyese. Një fustan si këmishë nate, shumë i shkurtër, tmerrësisht i shkurtër. Shumë i ngjitur pas trupit, tmerrësisht i ngjitur pas trupit. Një moderatore televizive, sipas meje nuk duhet të vishet në këtë mënyrë”, thoshte në emisionin e tij Mustafa Nano.
E ndërsa Bora Zemani ka zgjedhur të heshtë, Ilda Bejleri reagoi përmes rrjeteve sociale dhe i ktheu përgjigje Mustafa Nanos edhe në emisionin “Wake Up” në Top Channel.
“Me sa di unë, Mustafa Nano nuk është as Chanel, as Karl Lagerfeld. Edhe në Itali po t’i shohësh, unë madje mund t’iu tregoj edhe kolazhe videosh… Mendoj që jam më e veshur sesa gazetaret atje. Mustafa Nano mendoj se e ka personale, por besoj se ne, si pjesë e sportit dhe medias, nuk krahasohemi fare me disa fusha të tjera të artit”, deklaronte Ilda Bejleri.
Debati shpërtheu edhe në rrjetet sociale, ku edhe komentuesit janë të ndarë. Po ashtu edhe kolegë gazetarë u përfshinë në këtë debat, ndërsa pyetja që ngrihet nuk është sesi duhet të vishen njerëzit e ekranit, por a kapërcehet etika dhe a mund të flitet me këtë gjuhë për kolegë, dhe pse ata ndajnë ekrane dhe profile të ndryshme?
Megjithatë, shija dhe e bukura janë personale dhe vështirë të përcaktohet se kush nga të dy ka të drejtë. Bota e ka kaluar këtë debat dhe duket se tashmë është radha e Shqipërisë, ekraneve dhe njerëzve të saj.
Top Channel