Akuza për “financime” ruse, PS thirrje Bashës: Përgjigjet pa u fshehur pas çarçafëve

08/03/2018 14:31

Partia Socialiste ka vijuar sërish me akuzën e saj se Partia Demokratike është besnike e Kremlinit.

“Me kaq të dhëna sa kemi, nuk duam e as mundet të themi se prapa këtij zullumi të zi e të trashë të Lulzim Bashës është Kremlini. Por padyshim, as nuk mund të na mjaftojë dhe as mund të na bëjë të heshtim, qoftë reagimi i Ambasadës Ruse e qoftë reagimi i Partisë Demokratike ndaj medias amerikane”, tha deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali.

Ndonëse e quan krim çështjen e financimit të lobuesit amerikan të demokratëve, pas të cilit mediat amerikane dyshojnë se qëndrojnë kompani ruse, Partia Socialiste ende nuk i drejtohet Prokurorisë.

“Këtu kemi të bëjmë me një krim politik, financiar dhe, mos e dhëntë Zoti, edhe kombëtar, për të cilin Lulzim Basha duhet të përgjigjet pa u fshehur pas çarçafëve të zhgarravitur me overdozën e baltës së budallallëkut të një opozite pa kokë, pa këmbë, pa program, pa skuadër, pa gjë prej gjëje”, tha Spiropali.

Ndryshe nga demokratët që reaguan një ditë më parë duke theksuar se nuk kanë shkelur asnjë ligj shqiptar apo amerikan, socialistët janë të bindur se kjo ka ndodhur.

“Me Kremlin pa Kremlin, kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi në këtë mes, sepse paratë i ka paguar Lulzimi dhe i ka kaluar përmes guaskës në një ishull offshore, në shkelje të hapur të ligjeve të shtetit shqiptar dhe jo vetëm të shtetit shqiptar, po edhe të shtetit amerikan”, u shpreh deputetja e PS.

Sipas PS-së, edhe partnerët e Shqipërisë presin të dinë të vërtetën prej Lulzim Bashës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA