Instrumentisti Vendim Kapaj mban titullin ”Mjeshtër i Madh” e ka përfaqësuar Vlorën, qytetin e lindjes së tij, me krenari edhe jashtë vendit.
“Që 8 vjeç, sot jam 59 vjeç. I bija fyellit me dhëmbë derisa e perfeksionova. Me buzë, jo se nuk i bie, por e kam më të lehtë t’i bie me dhëmbë”, tregon ai.
Arti të mbush shpirtin, por jo barkun. I papunë dhe në gjendje jo të mirë ekonomike, jeta e Vendimit ka një tjetër anë.
Çdo ditë me biçikletën e tij dhe dy arka me peshk Vendimi del nëpër qytet. Siç thotë vetë, më shumë fiton nga peshku se nga fyelli.
Pas ditës së gjatë si shitës ambulant, kthehet në shtëpinë e tij ku certifikatat e çmimeve dhe nderimet deri nga ish-Presidenti Nishani apo ish-Kryeministri italian Berluskoni janë krenaria që i ka mbetur nga lavdia e dikurshme.
“Kam qenë në Butrint, dëgjuan të dy kryeministrat. U ulën të dy në gjunjë, edhe Berluskoni. Ishte një kënaqësi e madhe”, shprehet Vendim Kapaj.
Atij që si çdo artisti i janë përulur dikur shumë personalitete, sot nuk i del të blejë një shishe qumështi në fund të muajit. Megjithatë nuk përulet. thotë se do të bëjë çdo punë që do i japin sepse puna nuk është turp.
Tek e fundit edhe në rrugë ndihet ende artist. Nga ata që jo vetëm në Shqipëri, por sic thotë ai, kudo në botë arti i ka nxjerrë në rrugë në një formë ose një tjetër.
Top Channel