Konflikti në Siri, mbërrijnë ndihmat e para pas armëpushimit në Ghouta

05/03/2018 12:39

Ndihmat humanitare më në fund kanë mbërritur në enklavën e rrethuar të Ghoutës në Siri, ku që prej mesit të shkurtit janë vrarë të paktën 719 vetë, mes të cilëve edhe fëmijë.

Plot 46 kamionë të OKB-së janë të parët që hyjnë në qytet gjatë kësaj periudhe kohe, pavarësisht armëpushimit të Kombeve të Bashkuara dhe atij të urdhëruar nga Rusia, të cilët nuk u arritën asnjëherë të viheshin në jetë siç duhej.

Nëse karvani i OKB-së do të jetë në gjendje t’iua shpërndajë ushqimin dhe furnizimet e tjera 27.500 njerëzve, të cilëve iu nevojitet dëshpërimisht një ndihmë e tillë, atëherë ky do të përbëjë një zhvillim tejet të rëndësishëm e domethënës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se, përpara se kamionët të dilnin prej depove të grumbullimit, zyrtarët e qeverisë siriane kanë hequr prej tyre 70% të furnizimeve, në të cilat përfshiheshin materiale kirurgjikale dhe kuti të ndihmës së shpejtë për raste traumash.

Këto veprime besohet të jenë pjesë e përpjekjeve të regjimit për t’u siguruar se rebelët nuk do të përfitojnë trajtim mjekësor. Presidenti Bashar al-Assad deklaroi të dielën se ofensiva kundër terrorizmit duhet të vazhdojë, ndërsa vlerësimet e zymta mbi situatën humanitare në qytet i konsideron “gënjeshtra qesharake”.

Më herët, presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministrja britanike Theresa May bënë Moskën dhe Damaskun përgjegjës për vuajtjet tragjike njerëzore në enklavën e kontrolluar nga rebelët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA