Zgjedhjet në Itali, sot nuk pritet një fitues i qartë

04/03/2018 18:29

Italianët u janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet e përgjithshme, mbase nga më të rëndësishmet në historinë e vendit. Plot 46 milionë italianë me të drejtë vote do të zgjedhin Parlamentin dhe rrjedhimisht qeverinë e re, në një vend të përballur vitet e fundit me stanjacion ekonomik, papunësi të lartë dhe sigurisht emigracion të pandalshëm, çështja që ka ndarë thellësisht Italinë dhe që sipas ekspertëve do të vendosë zgjedhjet.

Sondazhet parazgjedhore nuk i japin shumicën askujt, diçka që do ta çonte krizën politike në Itali drejt thellimit, por parashikojnë se forca më e madhe në Parlamentin e ri do të jetë “Lëvizja 5 yjet” me 28% të votave, të ndjekur nga Partia Demokratike me 22.8%, “Forza Italia” me 16.4% dhe partia antiemigracion “Lega Nord” me 13.4%. Kjo e fundit mund të jetë pjesë e grupimit më të madh në Parlament, pasi është në koalicion me partinë “Forza Italia” të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Pikërisht Berlusconit iu rezervua një incident gjatë votimit, pasi një aktiviste e “Femen” protestoi në mënyrën e zakonshme, mes e lart zhveshur, duke i thënë “kavalierit” se ai kishte skaduar. Ky i fundit nuk u duk i shqetësuar nga ngjarja, por më pas pyeti nëse bëhej fjalë për një vajzë të bukur.

Sikur të mos mjaftonte pesha që zgjedhjet kanë, këtë vit autoritetet kanë aplikuar një sistem të ri votimi me siguri të shtuar, që të paktën në organizim ka hapur mjaft telashe.

Pulla e sigurisë e gjeneruar nga kompjuteri dhe që i ngjitet çdo flete votimi ka shkaktuar radhë të gjata në qendrat e votimit. Kryeministri Paolo Gentiloni ishte mes atyre që pritën jo pak për të shprehur vullnetin e tij.

Ish-kryeministri Matteo Renzi, pasi hodhi votën e tij prefereroi të mos shprehte për mediet parashikim për zgjedhjet, megjithëse sondazhet e japin në vendit e dytë. Luigi di Maio, emri i zgjedhur nga “Lëvizja 5 yjet” për kryeministër, votoi gjithashtu dhe të paktën interesi mediatik dhe popullor për të ishte më i lartë se për të tjerët, diçka që jo detyrimisht ligjëron parashikimet e sondazheve.

Edhe kreu i “Lega Nord”, Matteo Salvini priti gjatë në radhë për të votuar dhe tha se, sa më shumë njerëz të marrin pjesë, aq më mirë është. Për pjesëmarrjen, autoritetet italiane thonë se bazuar në shifra ende të përkoshme, është 5% më e lartë sesa herën e fundit, megjithëse ka ende kohë deri në orën 23 kur mbyllen qendrat e votimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA