Reshjet e dëborës kanë vijuar gjatë natës dhe mëngjesit, duke zbritur deri në zonat e ulta. Situata me rrugë të bllokuara e shkolla të mbyllura vazhdon edhe sot.

Mësimi është ndërprerë në të gjithë shkollat e Qarkut Dibër, ku ka fshatra të bllokuara dhe akse rurale që kalohen me zinxhirë. Trashësia e dëborës në Peshkopi shkon mbi 40 cm, ndërsa në zonat mbi 800 m, shkon deri në 1 metër. Nexhbedin Shehu, prefekt i Dibrës, shprehet: “Problematike është zona e Bulqizës, ku ka pasur edhe furtunë. Gjatë gjithë natës është punuar me fadroma dhe borëpastruese”.

E rënduar është situata në Bulqizë, ku reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që rrugët Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel të kalohen me shumë vështirësi, me zinxhirë. Të bllokuara janë rrugët Bulqizë-Krastë, Qafë e Buallit-Zona D si dhe Ura e Çerenecit-Stërblevë. Të izoluar janë dhe njësitë administrative Trebisht, Ostren, Martanesh dhe shumë fshatra të njësive Fushë-Bulqizë, Zerqan dhe Shupenzë. Trashësia e dëborës në qytet arrin 30 cm, ndërsa në njësitë adminstrative shkon nga 50 deri në 80 cm.

Edhe në Lezhë vijuan reshjet në qytet, ndërsa superstrada Lezhë-Fushë-Krujë, e cila dje ishte me probleme, sot kalohet lirisht nga automjetet.

Edhe në Qarkun e Elbasanit bora ka sjellë probleme, duke bllokuar rrugë e pezulluar procesin mësimor. Në disa zona të thella të Librazhdit trashësia e dëborës arrin 50-70 cm. Janë të kalueshme të gjitha akset nacionale, veç aksit Librazhd-Peshkopi, që është bllokuar duke izoluar edhe disa fshatra të Bashkisë Librazhd.

Moti i keq ka pezulluar procesin mësimor edhe në disa fshatra si Labinot-Mal, Gracen, Stëblevë apo Qarrishtë.

Të vetmet segmente rrugore të cilat kanë probleme në Korçë janë Dardha dhe Qarri, që kalohen me zinxhirë.

Mëngjesi i sotëm e ka gjetur edhe Shkodrën të mbuluar nga bora. Me probleme mbeten zonat e thella malore të Dukagjinit e Pukës, që janë të izoluara.

FOTO GALERI
5/14

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA