8 vite pa asnjë foto familjare, fëmijët u kërkojnë prindërve të mos zihen më

24/02/2018 21:24

Pas suksesit që pati puntatën e parë, programi “Dua të të bëj të lumtur” i Arbana Osmanit u rikthye këtë të shtunë me histori të tjera.

Historia e parë që u trajtua ishte ajo e familjes Dogani, një familje e cila prej 8 vitesh nuk kishte gjetur asnjë moment qetësie.

Kur djali ishte i vogël kishte pasur probleme shëndetësore dhe në këtë moment kishin nisur zënkat e para. Problemet në familje me kalimin e kohës sa vinin e shtoheshin, duke i çuar kështu dy prindërit e familjes Dogani disa herë drejt divorcit, por ishin fëmijët ata që kishin ndërhyrë për t’i pajtuar.

Situatat e dhimbshme pasuan njëra-tjetrën, derisa një moment vajza e familjes tenton vetëvrasjen, fatmirësisht pa sukses…

Anila për shkak të gjithë situatës që kishte përjetuar kur ishte fëmijë ishte diagnostikuar me depresion kronik. Këtë gjendje e kishte kaluar e vetme, pa praninë e nënës së saj e cila ishte larguar nga Shqipëria për t’u kuruar…

Ishin fëmijët ata që kishin ftuar prindërit e tyre, për t’i kërkuar që të mos ndaheshin. Mesa duket ftesa e prindërve në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishte përpjekja e fundit për të bashkuar familjen.

Anila i kërkoi falje mamasë së saj për gjithçka që ajo i kishte thënë, por Arbana la të kuptohej që të njëjtën gjë kishte dashur të bëjë dhe Miranda. Ajo kishte dashur të ftonte fëmijët e saj dhe t’i kërkonte falje atyre për mënyrën se si ishte sjellë me ta.

Në fund Arbana ftoi fotografin që t’u bëjë një foto familjare pasi ata nuk kishin asnjë të tillë prej vitit 2010, me shpresën dhe urimin se tashmë në familjen e tyre do të mbizotërojë harmonia.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA