Dy nga tre të dënuar me vdekje shpëtojnë në minutën e fundit

23/02/2018 19:35

Tre persona të dënuar me vdekje duhet të ishin ekzekutuar të enjten në mbrëmje në SHBA, por siç po ndodh shpesh kohët e fundit, dy prej tyre u anuluan. Do të kishte qenë hera e parë në tetë vjet që në një ditë do të kryheshin tre ekzekutime, por dy prej tre të dënuarve, i shpëtuan vdekjes në minutën e fundit.

Në Teksas, Guvernatori Greg Abbott fali jetën e 38-vjeçarit Bart Whitaker vetëm 40 minuta para se ekzekutimi të realizohej. Ai ishte dënuar për planifikimin e vrasjes së babait, nënës dhe vëllait të tij në vitin 2003. Por si në një skenar filmash, babai i tij, Kent, i mbijetuari i vetëm i masakrës, ishte ndër “avokatët” më të fortë për mos ekzekutimin e të birit, duke këmbëngulur se ai ishte tjetër njeri tashmë.

Në Alabama, 61-vjeçari Doyle Lee Hamm, shpëtoi – të paktën përkohësisht – sepse avokatët e tij argumentuan që për shkak se ishte diagnostikuar me kancer, i kishte venat shumë të dobëta për të përballuar injeksionin fatal, dhe dhimbjet që do t’i shkaktoheshin mund të konsideroheshin edhe si torturë. Hamm ishte dënuar për vrasjen e një punonjësi moteli gjatë një grabitjeje me armë në vitin 1987.

Ndërsa në Florida, Eric Scott Branch, i dënuar për vrasjen e një studenteje në vitin 1993, dhe përdhunimin e dy femrave të tjera, përfshi këtu edhe një vajzë 14-vjeçare, bërtititi “vrasës” disa herë ndaj oficerëve që kryen ekzekutimin.

Teksasi dhe Florida janë të vetmet shtete që kanë realizuar ekzekutime në dy muajt e parë të vitit 2018, repsketivisht 3 në Teksas dhe 1 në Florida. Ekzekutimet e “suksesshme” janë gjithnjë e më të rralla në SHBA për shkak të vështirësisë së shteteve për të siguruar ilaçet e nevojshme, ndërsa mbështetja popullore për dënimin me vdekje në SHBA është në nivelet më të ulëta që prej viteve ’70. Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, 23 vetë janë ekzekutuar në total në vitin 2017, shifra më e ulët që prej vitit 1991.

FOTO GALERI
6/6
Një tubim paqësor pas ekzekutimit të Eric Scott Branch nga persona që kundërshtojnë dënimet me vdekje në SHBA.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA