Asnjë i mbijetuar! Ky është konfirmimi i zyrtarëve të kompanisë ajrore, për 66 personat që ndodheshin në avionin e pasagjerëve të rrëzuar në Iran.
Avioni i linjës ajrore “Aseman”, që ishte ngritur nga Teherani drejt qytetit jugperëndimor Yasuj, u rrëzua në malet Zagros.
Gjysmëhëna e kuqe dërgoi menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi në vendin e tragjedisë, pranë qytetit Semirom në provincën Isfahan.
Fluturimi “EP 3704” la Teheranin në orën 8 të mëngjesit me atë lokale (05:30), e rreth një orë më pas u zhduk nga radarët. Avioni thuhet të jetë përplasur në malin Dena, 22 km larg Yasujit, raporton kanali informativ “Irinn”.
Avioni ishte prodhim francez me dy motorë “ATR 72-500”. Në bord kishte 60 pasagjerë, dy roje sigurie, dy shoqërues fluturimi, pilotin dhe zëvendësuesin e tij.
“Pas kërkimeve në zonë, fatkeqësisht u informuam se avioni ishte bërë copash. Të gjithë të dashurit tanë kanë humbur jetën në këtë incident”, tha zëdhënësi i linjës ajrore, Mohammad Tabatabai.
Mes viktimave është edhe një fëmijë, siç njofton kreu i shërbimeve të emergjencave, Pir Hossein Kulivand. Kushtet e këqija të motit kanë vështirësuar përpjekjet për shpëtim. Kjo, sepse ekipet e emergjencave që shkuan në vendngjarje shfrytëzuan rrugët tokësore, në vend që të përdornin një helikopter, shtoi më tej Kulivand.
Irani është tronditur nga disa aksidente ajrore në vitet e fundit, për shkak edhe të flotës së vjetëruar të avionëve në përdorim. Vendi islamik e ka pasur të vështirë të kujdeset për avionët, përballë sanksioneve të rënda ndërkombëtare që iu vendosën për shkak të programit bërthamor. Këto sanksione thuajse janë hequr të jgitha bazuar mbi marrëveshjen e vitit 2015, mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me disa fuqi të tjera botërore.
Ndërkohë “Aseman”, linja e tretë më e madhe ajrore e Iranit, ka nënshkruar një kontratë me Boeingun vitin e kaluar, me synimin për të blerë 30 avionë të fundit “737”.
Top Channel