Martesë mbi kanionin 121 metra të lartë për dy ekulibristët

08/02/2018 12:30

Ryan Jenks dhe Kimberly Weglin e çuan lidhjen në kurorë në lartësi të reja. E kjo, në kuptimin e parë të fjalës.

Çifti i tha betimet e martesës në 121 metra lartësi mbi kanionin e Utahut, duke qëndruar në një rrjetë rezistente prej 600 metrash katrorë. Poshtë ishte humnera.

Njerëz të tjerë do ta kishin tejet të vështirë një pamje të tillë, por Ryan dhe Kimberly janë ekuilibristë. Kjo ishte edhe arsyeja që i shtyu të dalin me një ide kaq të guximshme.

“Na pëlqen që të dyve ecja mbi litar. Të dy e kemi kthyer atë në pjesë të rëndësishme të jetës sonë, ndaj ishte shumë e lehtë që të vendosnim se ku do të martoheshim”, tha Ryan Jenks, dhëndri.

Për të përmbushur këtë dëshirë, çifti përdori një rrjetë nga ato që vendosen zakonisht mbi kanione, por duke i bërë disa rregullime.

“Normalisht, rrjeta të tilla kanë një të çarë në mes, nga ku njerëzit të mund të hidhen. Kështu që neve na u desh ta mbushnim atë dhe ta bënim sa më të qëndrueshme”, tha Kimberly Weglin, nusja.

Aq e fortë u bë rrjeta, sa e vetmja gjë që mund të luhatej aty ishin vetëm nervat. Tani që ndodhen në terren të sigurtë, Jenks dhe Weglin e kanë nisur mjaft të balancuar jetën e tyre të re martesore.

Top Channel