Pas 59 vitesh, Erdogan viziton Vatikanin. Jeruzalemi e Siria, tema diskutimi me Papa Françeskun

05/02/2018 18:21

Vizita e presidentit Recep Tayyip Erdogan në Vatikan, për të biseduar me Papa Françeskun, shënon herën e parë në 59 vite që një president turk shkel në Selinë e Shenjtë.

Autoritetet italiane kishin vendosur një ndalimqarkullimi në pjesën më të madhe të qendrës së Romës, por gjithsesi u lejua një demonstratë e vogël e autorizuar e kurdëve, teksa presidenti Erdogan e shfrytëzoi udhëtimin e tij në Itali edhe për të kërkuar anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian.

Kreu i shtetit turk bisedoi me Atin e Shenjtë, kreun e katolikëve të botës, mes shqetësimeve në rritje mbi ofensivën ushtarake të Ankarasë në Siri.

Mes çështjeve kryesore të diskutimit mes Erdogan dhe Papa Françeskut ishte edhe Jeruzalemi dhe implikimet e vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për njohjen e qytetit të shenjtë si kryeqytet të Izraelit. Megjithatë, edhe Vatikani mbështet zgjidhjen dyshtetërore të konfliktit izraelito-palestinez në Lindjen e Mesme.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e shtypit të Erdoganit, thuhet se veç statusit të Jeruzalemit, janë diskutuar marrëdhëniet mes Turqisë e Vatikanit, Siria, kriza e refugjatëve, terrorizmi, ksenofobia dhe islamofobia.

Në një intervistë të dhënë për një gazetë italiane, përpara se të shkelte në Romë, udhëheqësi turk tha se vendi i tij është një faktor kyç në frenimin e fluksit të emigrantëve e refugjatëve drejt Europës.

Ai arriti të lidhte “me sukses” çështjen e sigurisë kufitare të vendit të tij me atë të Europës, duke këmbëngulur se ushtria turke ka nevojë për krijimin e një zone të sigurtë mes Turqisë dhe Sirisë, më konkretisht ndaj atyre që ai i quan terroristë, luftëtarët kurdë të “YPG”-së.

Pamjet e siguruara nga “Sky News” nga brenda Afrinit tregojnë dhjetëra mijëra njerëz që marshonin në rrugë, në një sfidë të hapur ndaj ofensivës ushtarake turke.

Autoritetet turke kanë “premtuar” hakmarrje të ashpër pas shkatërrimit të një tanku turk në Sirinë veriore, ditën e shtunë, episod në të cilin mbetën të vrarë 5 ushtarë. Këta, por edhe vrasja e dy ushtarëve të tjerë turq po atë ditë, e kthyen të shtunën në ditën më vdekjeprurëse që prej nisjes së ofensivës turke në fund të janarit.

Erdogan këmbëngul se ata po përdoren si “mburoja njerëzore”. Por, efektshmëria e kurdëve në fushëbetejë kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik, i ka vendosur dy vendet anëtare të NATO-s kundër njëri-tjetrit.

Top Channel