Me tre gjyqtarë minus dhe një tjetër që i ka përfunduar mandati, Gjykata Kushtetuese e konsideruar si roja e kushtetutës tashmë është fare pranë vijës së kuqe të mosfunksionimit.

Aktualisht kanë mbetur gjashtë gjyqtarë kushtetues nga nëntë që duhet të ishin. Pas dorëheqjes së Vladimir Kristos një vit më parë sepse i kishte përfunduar mandati, një tjetër gjyqtar kushtetues u shkëput nga udhëtimi me drejtësinë duke lënë pikëpyetje nëse do të ketë të tjerë pas tij që do të dorëzojnë pelerinën.

Besnik Imeraj, që i përfundonte mandati në vitin 2022, u dorëhoq në vitin e pestë të mandatit të tij si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Motivet e kësaj dorëheqjeje argumentohen për shkaqe personale dhe shëndetësore.

Gjyqtari kushtetues, Imeraj, së bashku me gjyqtarin Gani Dizdari ishin dy gjyqtarët kushtetues që gjatë shqyrtimit të ligjit të Vettingut votuan kundër me argumentin se gjatë këtij procesi kishte ndërhyrje të ekzekutivit.

Më herët, Gjyqtari Imeraj ka në trupat gjyqësore ku janë shqyrtuar dosje të bujshme si “Gërdeci”, dosja “Meta” apo ajo e rrugës Durrës-Kukës-Morinë.

Dorëheqja e Imerajt vjen para se komisioni i pavarur i kualifikimit të hapë perden e Vettingut për të thirrur 57 subjektet e para, që sipas ligjit, i janë nënshtruar rivlerësimit.

Parashikohet se të parët që do të dëgjohen në seancat publike do të jenë gjyqtarët kushtetues, të paktën këtë gjë e thotë ligji. Nuk dihet ende se a do të ketë dorëheqje të tjera dhe se çfarë do të ndodhë gjatë Vettingut nëse do ta kalojnë apo jo gjyqtarët kushtetues që kanë ngelur.

Në këtë situatë, pak ditë më parë, gjatë një interviste për Top Channel, kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, propozoi që vendet vakante të plotësohen me gjyqtarë pa kaluar Vettingun, siç edhe ndodhi me emërimin e Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku. Një zgjidhje e tillë sugjerohet për të shmangur bllokimin e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel