Gjykata Speciale tërheq vëmendjen deri në atë pikë mbi Ramush Haradinajn, sa e kthen në njërin prej personazheve që revista prestigjioze “Time” ka zgjedhur t’i përshkruajë si “5 të arratisurit më të kërkuar gjeopolitikë të botës në 2018-n”, duke e bashkëngjitur me emrat e Carles Puigdemontit, Fethullah Gulenit, Julian Assange dhe Mikhail Saakashvilit.
“Nuk është gjithmonë e këndshme të jesh i kërkuar”, e nis “Time” shkrimin e saj, në të cilin analizon gjendjen e gjithsecilit prej personazheve të shënjestruar, e në pjesën kushtuar shefit të ekzekutivit kosovar kujton sesi ai bëri emër gjatë luftës së Kosovës dhe sesi u akuzua për torturimin dhe vrasjen e serbëve, e në mungesë të provave u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Hagës gjatë viteve 2008 e 2012.
“Por kjo – thotë “Time”, – nuk ishte e mjaftueshme për Beogradin, që refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës dhe këmbëngul që Haradinaj të përballet me drejtësinë në sallat e gjykatave të saj. Për këtë arsye edhe luan me fletarrestin që çoi në ndalimin e tij në Francë, por pa mundur ta mbajë prapa hekurave”.
“Haradinaj, megjithatë nuk ndeshet me sfida vetëm në Serbi, – vazhdon artikulli. – Me urdhër të aleatëve perëndimorë dhe i ndihmuar nga financimet e BE-së, Parlamenti i Kosovës pranoi në vitin 2015 ngritjen e një gjykate speciale për krimet e luftës, e cila ta kishte selinë në Holandë, por të vepronte nën juridiksionin e Kosovës, lëvizje kjo e konsideruar instrumentale për stabilizimin e gjeopolitikës në Ballkan”.
“Vetëm se, tani që pritet të formulohen paditë, Haradinaj dhe të tjerë pjesëtarë të elitës politike të Kosovës, – thekson “Time”, – po shikojnë mënyrat për devijimin e hetimeve të saj”.
Revista kujton sesi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian janë tejet të ndjeshme ndaj mënyrës sesi perceptohen nga ana e Kosovës normat dhe vlerat perëndimore, e ndoshta Haradinaj dhe aleatët e tij mendojnë se vendi i tyre është tepër i vogël për vëmendjen e fuqive të rëndësishme gjeopolitike.
“Realiteti, – sipas “Time”, – është se për të ruajtur paqen, ato thjesht nuk bëjnë dot ndryshe”.
Top Channel