Një intervistë e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias për televizionin shtetëror në Greqi, ku ai thotë se ka një dakordësi me Shqipërinë për kufirin detar, prej të cilit Greqia përfiton 12 milje detare ka rikthyer në qendër të vëmendjes këtë temë.
Deklarata e Kotzias, ku ai thotë gjithashtu se në këtë hapësirë Greqia do të ushtrojë të drejtën e zonës ekskluzive ekonomike, u përhap me shpejtësi në mediat greke e më pas edhe në Shqipëri.
Kjo ka ngjallur reagimin e opinionit publik dhe faktorit politik në vend, ndaj të cilëve Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti!”, shkruan Rama.
Kryeministri i cilëson “të mjerë që meritojnë veç mëshirë” dhe kërkon durim deri kur të ketë një marrëveshje të firmosur.
“Kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin dhe ndërkohë mos dysho hiçfare se ne që ditëm t’i hapim me kurajo e dinjitet hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim me dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.
Top Channel