“Çmendet” Reali, 570 mln euro për De Gea-Hazard-Kane

27/01/2018 13:55

Reali i Madridit nuk është në nivelin e sezonit të kaluar dhe Champions League duket se është kompeticioni që do të mund të shpëtojë klubin madrilen nga turpërime të tjera, ndërkohë që ka filluar të mendohet për vitin e ardhshëm.

Sipas medies britanike, në shënjestrën e “Los Blancos”-ve janë vënë 3 futbollistë të Premier League: David De Gea, Eden Hazard e Harry Kane.

Sipas tabloidit “Daily Mail”, Reali i Madridit ka vendosur të bëjë çmenduri dhe të investojë 570 milionë euro për këta. Gjithnjë sipas këtij tabloidi, kampionët e Spanjës do të paguajnë në total 460 milionë euro për mesfushorin e Chelseat dhe sulmuesin e Tottenhamit, ndërsa për portierin spanjoll kanë rezervuar shifrën e 110 milionë eurove.

Por, Reali i Madridit nuk do ta ketë të lehtë në bisedimet me klubet respektive të këtyre lojtarëve, pavarësisht shifrës marramendëse që ka përgatitur. Në rastin e Kane, klubi “merengues” do të duhet të negociojë me presidentin Daniel Levy, një detyrë kjo jashtë mase e vështirë.

Për Hazard, tratativat janë më të lehta në dukje, por në javët e fundit belgu ka shfaqur më shumë dëshirë për të rinovuar me Chelsean. Ndërsa për De Gean, Manchester United nuk ka ndërmend të privohet prej tij dhe tashmë i ka propozuar rinovimin e kontratës, duke i bërë një ofertë të majme. Për më tepër, trajneri Mourinho dëshiron që spanjolli të qëndrojë përjetësisht te “djajtë e kuq”.

Historitë nuk mbyllen këtu për Realin e Madridit, i cili ka vënë në shënjestrën e tij edhe trajnerin Mauricio Pochettino. Por edhe në këtë rast, spanjollët duket se do ta kenë jashtë mase të vështirë për të arritur tek ai, pasi argjentinasi ka me Tottenhamin një kontratë deri në vitin 2021, ndërkohë që raportet mes tij e Daniel Levyt janë të shkëlqyera, me këtë të fundit që është shprehur se dëshiron që Pochettino të qëndrojë në stolin e “Hotspurs” për 10-15 vite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA