Bien “kufijtë” mes brezave!

25/01/2018 09:33

Vitet e fundit duket se po ndryshon kufiri përsa i përket ndarjes mes brezave. Duke nisur nga adoleshenca, kjo e fundit njihet si e tillë nga mosha 11-19 vjeç por studiuesit shprehen se tashmë është shtyrë deri në 24 vjeç.

Rritja dhe pjekuria moshore duket se fillon kur të rinjtë prekin kufirin e moshës 25 vjeç. Arsimimi si proces po zgjatet më shumë në kohë, në disa nivele studimi, në më shumë se një fakultet apo edhe për faktin se nuk janë të paktë ata që i rikthehen shkollimit edhe disa vite më vonë.

Po ashtu punësimi shtyhet në kohë, karriera realizohet në një moshë më të madhe, martesat përpara moshës 30 vjeç janë ulur në numër botërisht.

Rrjedhimisht, është shtyrë edhe mosha kur prindërit bëhen me fëmijë. Shkencëtarët nga “Royal Children’s Hospital në Melbourne” kanë argumentuar pse rritja biologjike po shtyhet me disa vite në kohë. Ekspertët pranojnë se truri vazhdon të zhvillohet edhe pas moshës 20 vjeç dhe po ashtu dhëmbët e pjekurisë vijojnë procesin e daljes edhe pasi ne kemi mbushur 25 vjeç. Statistikat tregojnë se burrat martohen për herë të parë rreth 32.5 vjeç dhe femrat rreth moshës 30.6 vjeçe, me një rritje të theksuar të paktën që prej 8 viteve të fundit.

Vende si Zelanda e Re, përkujdesen për fëmijët jetimë ose në nevojë deri në moshën 25 vjeç e jo deri 18 vjeç. Akademikët argumentojnë se nëse një individ është akoma në proces shkollimi dhe i pamartuar, do të thotë që akoma nuk është i rritur plotësisht. Kjo ka bërë që koncepti i ndarjes së brezave të ndryshojë në varësi të ritmit të zhvillimit të çdo shoqërie.

Ndërkohë në Shqipëri, zhvillimi social ecën me ritme më të ngadalta sesa në botë. Sipas INSTAT, edhe pse është rritur mosha e martesës, të dhënat e vitit 2017, tregojnë se 1 në 7 vajza martohen nën moshën 19 vjeçe. Ndërsa 6% e lindjeve bëhen nga nëna nën 19 vjeçe. Ndërkohë mosha mesatare e martesës për shqiptarët u rrit në 30.4 vjeç për meshkujt dhe 25.1 vjeçe për femrat gjatë vitit 2016.

Top Channel