Turqia: Trupa tokësore në Siri kundër kurdëve

21/01/2018 13:47

Trupat tokësore turke kanë hyrë në veri të Sirisë, një lëvizje kjo e konsideruar pjesë e fushatës së Ankarasë për të pastruar rajonin kufitar nga luftëtarët kurdë.

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim sqaroi se, qëllimi është të krijohet një e ashtuquajtur “zonë e sigurtë” 30-kilometërshe brenda vendit fqinj.

Hyrja e ushtarëve turq në enklavën e Afrinit u parapri nga sulmet ajrore të së shtunës në zonë, të justifikuara prej ekzekutivit turk me arsyetimin se, luftëtarët kurdë në Siri paraqesin një rrezik “real” në rritje për Turqinë.

Vet pjesëtarët e njësive kurde të mbrojtjes së popullit, “YPG”, e mohojnë praninë e ushtarëve turq në Afrin e pretendojnë se kanë mundur t’i zbrapsnin sulmet e tyre, duke i detyruar të tërhiqen.

Ajo që dihet është se, mes dy palëve ka pasur shkëmbim zjarri. Ushtria turke thotë se ka marrë deri tani 153 objekte që iu përkisnin militantëve kurdë, ndërsa raketat kurde goditën gjatë natës qytetin kufitar të Kilisit.

“YPG”-të janë pjesë e një aleance me paraushtarakë arabë etnikë të quajtur “Forcat Demokratike Siriane”, që gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Aleanca e ka bërë të qartë se, nëse gjendet nën sulm do të vetëmbrohet.

Sulmet turke, sipas forcave kurde, kanë vrarë të paktën 3 luftëtarë e 6 civilë, ndërsa 13 të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Top Channel