Afganistan, 14 të huaj të vrarë në sulmin ndaj hotelit

21/01/2018 16:52

Të paktën 14 shtetas të huaj dhe 4 afganë janë viktimat e sulmit të talebanëve ndaj hotelit ndërkombëtar të Kabulit.

Dëshmitarë okularë, një prej të cilëve u fal nga talebanët, treguan për BBC-në se objektiv i sulmit ishin shtetasit e huaj.

Me kusht anonimiteti, një nga të mbijetuarit tha se talebanët nuk e vranë pasi morën vesh se ishte afgan dhe e kishin pyetur se ku gjendeshin të huajt brenda hotelit.

Bilanci makabër mund të rritet, por deri tani, mes viktimave të huaja janë 9 ukrainas, një gjerman, një grek dhe një kazak. Dy nuk janë identifikuar ende.

Mësohet se grupi i terroristëve hyri në ambientet e restorantit të hotelit, duke u shtirur si klientë dhe më pas nxorën armët e nisën të qëllojnë. Mbi 160 njerëz të tjerë u shpëtuan nga forcat afgane, të cilat luftuan për rreth 12 orë me talebanët për të marrë kontrollin e godinës.

Si pasojë e luftimeve u vranë të paktën 3 terroristë, megjithëse burime të ndryshme thonë se ishin më shumë ata që sulmuan hotelin. Autorësia e sulmit u mor përsipër nga talebanët, të cilët e kishin sulmuar të njëjtin hotel edhe në vitin 2011.

Ministria e Brendshme afgane pranoi me gjysmë zëri përgjegjësinë për sulmin makabër dhe tha se vendimi për të transferuar sigurinë te një kompani private kishte qenë një gabim. Bashkë me tymin dhe flakët që dilnin nga hoteli, kamerat regjistruan edhe klientët e tmerruar që përpiqeshin t’ia mbathnin furisë vrasëse, duke përdorur edhe çarçafët për të zbritur nga dhomat e tyre.

Top Channel