Shkencëtarët kanë hedhur një hap të madh përpara drejt një prej prioriteteve kryesore të mjekësisë: një analizë universale gjaku për kancerin.
Një ekip i universitetit Xhon Hopkins testoi për herë të parë një metodë që dikton 8 lloje të sëmundjes. Vizioni final i tyre, sigurisht nëse teknologjia do të funksionojë siç pritet, është një test i detyrueshëm i përvitshëm që të zbulojë kancerin në fazat e para dhe të shpëtojë jetë.
Ekspertët britanikë thanë se rezultatet e para të metodës së re janë shumë emocionuese. Megjithatë, ata pranuan se ka nevojë për më shumë punë për të vlerësuar efektivitetin e diktimit të tumoreve në fazat e para.
Tumoret çlirojnë gjurmë të vogla të ADN-së së tyre mutante dhe proteinat që krijojnë në gjak. Analiza e re kërkon pikërisht këto, ose më saktë mutacione në 16 gjene që zhvillohen nga kanceri dhe 8 lloje proteinash që çlirohen.
Metoda e re u testua me 1 005 pacientë me kancer në vezore, mëlçi, stomak, pankreas, zorrën e trashë, ezofag, gjoks dhe mushkëri që nuk ishte përhapur në organe të tjera. Analiza zbuloi praninë e kancerit nga shqyrtimi i gjakut në 70% të rasteve.
Shkencëtarët thonë se metoda e re është ende në përmirësim e sipër, por nëse ajo do të mundësojë zbulimin e kancerit atëherë kur është ende e mundur të hiqet kirurgjikalisht, ndryshimi për pacientët do të ishte si nata me ditën.
Top Channel