Negociatori i OKB-së për çështjen e emrit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Mattheë Nimetz, pasi është takuar në Nju Jork në mbrëmjen e së mërkurës me përfaqësuesit e Athinës dhe Shkupit, ka deklaruar se është tepër optimist për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se procesi po shkon në një drejtim pozitiv.
Në një deklaratë për mediet midis të tjerash Nimetz ka deklaruar se një zgjidhje pa përfshirjen e emrit “Maqedoni” nuk është realiste.
“Nuk mendoj se është realiste të pritet që Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë të pranojë që mos përfshihet në emërtimin e ri, termi Maqedoni. Nuk mendoj se është realiste që njerëzit e këtij vendi ta pranojnë këtë. Kështu që unë nuk sugjeroj emra për të cilët mendoj se nuk janë brenda një sfere realiste”, tha negociatori i OKB-së.
Nimetz ka theksuar gjithashtu se kur diskuton për një çështje për më shumë se 25 vjet, është padyshim e vështirë që të gjesh diçka të re. Por është një moment, ka shtuar ai, kur dy vendet dëshirojnë një zgjidhje ndaj u ka paraqitur propozimet e tij palëve pjesëmarrëse dhe do të presë që ato t’ia transmetojnë qeverive të tyre.
Takimi është zhvilluar disa orë para vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Shkup, i cili në një intervistë të fundit për agjencinë shtetërore në Ish Republikën Jugosllave, ka theksuar se Aleanca e Atlantikut të Veriut do t’i bëjë ftesë Shkupit për t’u integruar në NATO vetëm nëse do të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë.
Top Channel