Xhakarta, shembet tavani i bursës, dhjetëra të lënduar

15/01/2018 11:54

Shembja e tavanit të një kati të ndërmjetëm të Bursës së Xhakartës ka shkaktuar plagosjen e dhjetëra personave të ndodhur aty.

Plot 72 vetë u lënduan sipas policisë dhe janë duke marrë trajtime në 3 spitale të ndryshme të kryeqytetit indonezian.

Forcat e rendit janë përpjekur t’i largojnë gazetarët nga vendi ku ndodhi shembja. Edhe pse sqaruan se ka nisur menjëherë një hetim, i cili do të zbardhë arsyet e incidentit, autoritetet deklaruan që në fillim se nuk bëhet fjalë për një akt terrorist.

Rrëzimi ndodhi gjatë pushimit të drekës, e kjo bëri që ndërtesa të ishte më pak e populluar sesa zakonisht, megjithatë brenda saj ndodheshin ende me qindra vetë.

Bursa e Xhakartës është një godinë e madhe me dy kulla dhe një lobi të gjerë, ku dyshemeja është prej mermeri. Qeveria indoneziane kërkon prej kohësh të nxisë investimet e huaja, por skenat kaotike të bursës, padyshim nuk përbëjnë aspak imazhin që ajo kërkon të përcjellë nëpër botë.

Top Channel