Bllokohet nisma kundër “DACA”, Trump: Gjyqësor i padrejtë e jofunksional

10/01/2018 18:42

Presidenti amerikan Donald Trump e quajti sistemin gjyqësor amerikan të padrejtë dhe jo funksional, pasi një gjykatës federal bllokoi përpjekjet e tij për t’i dhënë fund një programi që mbron emigrantët e rinj të sjellë në SHBA ilegalisht nga prindërit, të njohur ndryshe si “Dreamers”.

Që në shtator, administrata “Trump” lajmëroi se do të mbyllte programin të njohur si “DACA”, gjë që u pasua me një seri sfidash ligjore në shumë gjykata federale, nga ana e prokurorëve të përgjithshëm demokratë, organizatave, apo individëve.

Të martën vonë, një gjykatës i distriktit të San Franciscos vendosi që “DACA” duhet të mbetet në fuqi derisa përplasja të zgjidhet.

Në një postim në “Twitter”, ndërkohë, Trump shkruante: Kjo u tregon të gjithëve sesa i padrejtë dhe jo funksional është sistemi gjyqësor, kur bëhet palë në një rast si “DACA”.

Edhe Shtëpia e Bardhë e cilësoi vendimin e gjykatësit federal fyes.

“Një çështje e kësaj magnitude duhet të kalojë përmes një procesi legjislativ normal. Presidenti Trump është i angazhuar për sundimin e ligjit dhe do të punojë me anëtarët e të dyja partive për të arritur një zgjidhje të përhershme, që të korrigjojë veprimet antikushtetuese të marra nga administrata e shkuar”, tha Sarah Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Gjykata vendosi që qeveria federale nuk duhej të procesonte aplikime të reja nga persona që nuk kishin përfituar më parë nga programi. Sidoqoftë, ajo urdhëroi qeverinë të vazhdonte të procesonte aplikimet për rinovim nga personat që më parë mbuloheshin nga “DACA”.

Vendimi mund të ndërlikojë negociatat mes Trump dhe udhëheqësve të Kongresit për reformën në emigracion. Presidenti Trump është sfiduar nga sistemi i drejtësisë më herët, edhe për sa i takon urdhrit të tij për ndalimin e hyrjes në SHBA të shtetasve nga disa vende me shumicë myslimane.

Top Channel