Wehrlein humbet në rivalitet, bosi i Mercedesit: Do t’i gjejmë një rol

09/01/2018 22:52

Bosi i kampionëve të Formulës 1, Toto Wolff ka deklaruar se Pascal Wehrlein do të mbetet në familjen e Mercedesit, pavarësisht se e ka humbur tashmë garën për të qenë njëri prej pilotëve garues për sezonin e vitit 2018.

Piloti premtues i Mercedesit, Wehrlein humbi në rivalitetin për të qenë pilot i Sauberit, përkundrejt kampionit të Formulës 2, Charles Leclerc, e duket se nuk është i preferuar as për vendin e fundit të mbetur vakant, atë të pilotit të Williamsit.

E duke parë të rinjtë Esteban Ocon dhe George Russel që po lënë mbresa me Force India, e ardhmja e Wehrlein duket e pasigurt. Por, drejtuesi më i lartë i Mercedesit, Wolff e ka mbështetur publikisht Wehrleinin për aftësitë e tij dhe ka konfirmuar se do t’ia gjejnë një rol të përshtatshëm.

“Pascali meriton padyshim një vend në Formulën 1 dhe qartësisht është një prej pilotëve më të shpejtë”, tha Wolff për “Autosport”. “Megjithatë, për momentin duket disi e vështirë, për shkak se nuk ka shumë vende të lira për pilotë. Por, ai do të jetë padyshim pjesë e ekipit tonë. Ende nuk mund të themi nëse do të jetë pjesëmarrës në ndonjë nga seritë e tjera të garimit, veç Formulës 1, por ai nuk largohet nga skuadra jonë”.

Wehrlein ishte ai që siguroi 5 pikët e Sauberit në vitin 2017, falë vendit të 8 që arriti në Çmimin e Madh të Spanjës dhe vendit të 10 në atë të Azerbajxhanit. Gjithsesi, zgjerimi i marrëdhënieve të Sauberit me Ferrarin dhe lidhjet me Alfa Romeon bënë që të mos ketë më vend për të.

Megjithatë, vet piloti është shprehur se, edhe nëse nuk do të mund të garojë për ndonjë skuderi në Botërorin e këtij viti, ai nuk do të dorëzohet për t’u rikthyer në vitin 2019, atëherë kur pritet një lëvizje e madhe pilotësh, pasi shumë prej atyre më të famshëm do t’iu skadojnë kontratat.

Top Channel