Bashkimi Europian përgatitet të caktojë përfundimisht 2025-tën si afatin e valës së re të zgjerimit, por mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor mund ta pengojnë këtë proces.

Partnerët tanë në rajon kanë një mundësi historike, shkruan EuObserver duke kujtuar se për të parën herë, perspektiva e anëtarësimit të vendeve të tij ka një kornizë kohore të përcaktuar. Drafti, të cilin ka mundur ta sigurojë përpara se strategjia të miratohet në14 shkurt, dëshmon bindjen e bllokut se me dëshirën e fortë politike, reforma reale dhe zgjidhje të qëndrueshme të ngërçeve me fqinjët, Mali i Zi dhe Serbia duhet të jenë gati për pranim në 2025.

Shqipëria, Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, theksohet më tej, “duhet të kenë avancuar në rrugën drejt BE-së, ose të paktën, negociatat e tyre duhet të kenë përparuar deri atëherë. Megjithatë në dokumentin e paraqitur në vazhdën e deklaratave të kreut të Komisionit Europian Zhan Klod Junker se nuk do të ketë zgjerim në një të ardhme të afërt, nënvizohet se problemet mes shteteve të Ballkanit mund ta pengojnë atë që ai e cilëson si “një afat kohor ambicioz”.

BE-ja, thuhet në draft, nuk mund dhe nuk do të importojë mosmarrëveshje dypalëshe. Kjo është arsyeja përse të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zgjidhin probleme të tilla me një ndjesi të forte urgjence.

Junker paralajmëroi të hënën se ngërçi i kufirit detar mes Sllovenisë dhe Kroacisë mund ta bllokojë shtrirjen e mëtejshme të bllokut në Ballkan. Paralajmërime ndërkohe mbërrijnë për rajonin edhe nga presidenca bullgare e Bashkimit Europian e cila shikon, siç thotë, rrezikun që vendet aspirante ta hedhin vështrimin drejt fuqive jo-europiane ndërkohë që Brukseli ngurron të avancojë me aderimin e tyre.

Në deklaratën për shtyp të saj nuk përmende fuqitë në fjalë, por janë të shumta raportet që tregojnë se ka një oreks të madh të Moskës për Serbinë, ashtu siç ka interesa kineze atje dhe në Maqedoni apo interesa turke në Shqipëri, Kosovë e Bosnje Hercegovinë, në të cilën kërkojnë terren edhe sauditët.

 

Top Channel