Gjykata e Apelit ul dënimin për ish-deputetin Mark Frroku

08/01/2018 10:42

Gjykata e Apelit në Tiranë ka ulur me 1 vit e gjysmë dënimin që Gjykata e Shkallës së parë dha në prill të vitit të kaluar për ish-deputetin Mark Frroku.

Nga 7 vite e gjysmë burgim që u dënua për akuzat e fshehjes së pasurisë dhe ndërtim të paligjshëm, tanimë Frroku do të vuajë 6 vjet burg, për të njëjtat akuza.

Në fakt, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë vetëm duke ulur 1 vit e gjysmë nga dënimi i dhënë.

Ndërkohë që çështja ishte apeluar si nga prokuroria ashtu edhe nga Frroku. Nga njëra anë, prokuroria kërkoi në Gjykatën e Apelit, që Frroku të shpallej fajtor edhe për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Belgjikë. Ndërsa vetë Frroku kërkonte pafajësi për të gjitha akuzat.

Por Gjykata e Apelit e pa të arsyeshme që pa ndryshuar asgjë nga akuzat dhe vendimin e fajësisë për fshehje të pasurisë dhe ndërtimit të paligjshëm, të ulë vetëm vitet e burgut. Përveç dënimit me burgim, si dënim plotësues, Frrokut i ndalohet që të zgjidhet apo emërohet në poste publike për një periudhë katër vjeçare.

Top Channel