Pas eliminimit befasues në Kupën e Ligës nga Bristol City, Manchester United merr një goditje të fortë edhe në kampionat nga Leicester.
Skuadra e Jose Mourinho u ndal në barazimin befasues 2-2 në “King Power Stadium” dhe tani sheh si Manchester City e rrit në 13 pikë diferencën pas fitores 4-0 me Bournemouth.
Leicester kaloi në avantazh në minutën e 27 me Jamie Vardy, por Manchester United vendosi barazpeshën në rezultat në minutën e 40 me Juan Mata. Në pjesën e dytë, spanjolli shënon një tjetër gol duke i dhënë avantazhin “Djajve të Kuq”, pasi ekzekutoi në mënyrë përfekte një goditje dënimi.
16 minuta nga fundi, Amartey u ndëshkua me karton të kuq dhe u duk se llogaritë e sfidës u mbyllën për Manchester United, që po i gëzohej 3 pikëve. Por, në sekondat e fundit të sfidës, Leicester prishi festën e “Djajve të Kuq” duke shënuar golin e barazimit 2-2 me Maguire.
Top Channel