Henri VIII, shpenzime marramendëse për Krishtlindje

22/12/2017 09:40

Gjatë vitit të tij të parë të mbretërimit, Henri VIII shpenzoi për Krishtlindje fitimet e siguruara nga taksat e pothuajse një viti, tregojnë skedarët e Arkivave Kombëtare Britanike.

Në regjistrat e shpenzimeve për vitin 1509, shihet qartë se monarku 19-vjeçar harxhoi ekuivalentin e 13,5 milionë paundëve për një seri eventesh luksoze. Niveli total i taksave për vitin ishte 16.5 milionë paundë. Paratë shkonin për ushqim, argëtim dhe dhurata, ku përfshiheshin edhe ato tepër bujare për stafin. Përfituesit përfshinin djemtë e korit, muzikantët, aktorët e shërbyesit. Poetit të tij të verbër të oborrit, Master Bernard André, mbreti i pagoi në ditën e festës 5 paundë, që sot janë të barazvlefshme me 2 400 paundë; një argjendari iu ofruan 83 paundë për dhuratat e bëra mbretit, që në kohën tonë do të ishin 41 000 paundë.

I bollshëm ishte dhe shpërblimi për fëmijët e kapelës mbretërore. Fakti që kënduan në ditën e Krishlindjeve himnin Gloria in Excelsis i solli secilit 2 paundë, që në çmimet moderne përkthehen në 967 paundë. Këto të dhëna, sipas Dr. Sean Cunningham, udhëheqësi i ekipit të regjistrave mesjetare në Arkivat Kombëtare, na lejojnë të shohim pasurinë e mahnitshme që rrethoi mbretërit e hershëm Tudor. Pikërisht në fillim të mbretërimit të Henri VIII, kur ishte ende adoleshent, shton ai, është interesante të gjesh nga këto dokumente një përshtypje për bujarinë dhe ndjenjën e tij të argëtimit, duke treguar se për çfarë i shpenzonte paratë e tij.

Regjistrat e shpenzimeve të Dhomës Mbretërore do të publikohen “online” të plota nga Arkivat Kombëtare pranverën e vitit 2018.

Top Channel