FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni Ekonomia shqiptare përfitoi mbi 1.3 miliardë euro të ardhura bruto nga turizmi në 9 muajt e parë të vitit. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se turizmi vijon të rritet me ritme dyshifrore, duke qenë një nga sektorët më dinamikë të ekonomisë gjatë dy viteve të fundit.
Sipas shifrave të publikuara në bilancin e pagesave, për periudhën janar-shtator të këtij viti, të ardhurat nga turizmi u rritën 13 për qind, nga 1.16 miliardë euro që ishin në nëntëmujorin e vitit të kaluar në 1.31 miliardë euro për nëntë mujorin e këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e tretë të vitit, i cili përbën edhe pikun e sezonit turistik, të huajt shpenzuan mbi 588 milionë euro në Shqipëri për turizëm apo udhëtime të ndryshme.
Por rritja e turizmit nuk është vetëm në kahun hyrës. Edhe shqiptarët janë duke shpenzuar më shumë në udhëtime jashtë shtetit. Sipas Bankës së Shqipërisë në 9 muajt e parë të vitit, shpenzimet e shtetasve shqiptare për udhëtime jashtë ishin 973 milionë euro.
Kjo bën që kontributi neto i turizmit për ekonominë shqiptare, pra diferenca mes të ardhurave që hyjnë nga jashtë dhe shpenzimeve që shqiptarët bëjnë në vendet e tjera të jetë rreth 340 milionë euro, çka sërish mbetet një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë.
Top Channel